Nuk ka asnjë garë më të mirë sesa ajo ku hyn i vetëm. Kjo pasi nuk ka asnjë mundësi që të mos fitosh, pasi në rastin më të keq do të garsoh “me veten” dhe fitorja është e sigurtë. Një gjë të tillë ka filluar ta bëjë edhe Ilirjan Celibashi i KQZ-së, i cili hap tendera ku marrin pjesë vetëm kompani “tek-pullë”.
Kështu, rezulton se KQZ ka organizuar një procedurë prokurimi me objekt “Blerje elemente ndarës për grupet e numërimit të votave” që mban numrin e referencës REF-90192-03-17-2021. Duke hulumtuar dokumentacionin e tenderit shikohet se është zhvilluar me procedurë të tipit “me negocim, pa njoftim”. Fituese është shpallur firma AGIMI B në pronësi të shtetasit Bardhul Brovina.
Kjo firmë ka ofruar vlerën prej 24,230,620 lëkësh të reja pa TVSH ose rreth 300 milionë lekë të vjetra me TVSH. Vihet re lehtësisht se përveç faktit që fituesi nuk ka patur asnjë konkurrent, pra kemi të bëjmë me një mungesë gare, gjithashtu edhe vlera fituese është thuajse identike me vlerën e fondit limit. Më konkretisht vlera fituese e tenderit është sa 92.92% e fondit limit. Të gjitha sa më sipër ngrenë dyshime të forta se fituesi ka qenë i paracaktuar.