Gjetja e një vendi parkimi në Tiranë është një makth më vete për shumë qytetarë që disponojnë makina.
Por nëse je një figurë e njohur, ke një post të rëndësishëm, ose je një deputet, zgjidhja e këtij "halli" nuk përbën ndonjë problem.
Në redaksinë e JOQ Albania mbërriti një foto e dërguar nga një qytetar, ku tregohet një automjet i parkuar mbi trotuarin e një rruge në Tiranë për më tepër në kundravajtje.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se automjeti tip "Benz" është në pronësi të deputetit të opozitës së re parlamentare, Lefter Maliqi.
Siç shihet dhe në foto, makina e parkuar nga deputeti është në kundërshtim të plotë me rregullat e qarkullimit rrugor dhe për më tepër ka edhe mbi xhamin e përparmë një tabelë polici.
Se si mund të kalojnë këmbësorët në trotuarin ku është parkuar makina e tij, vetëm Maliqi mund ta japë përgjigjen.
Nuk është hera e parë që figura të njohura politike, duke shfrytëzuar reputacionin e tyre, shkelin haptazi rregullat, jo vetëm të qarkullimit rrugor, por edhe në aspekte të tjera.