Gecaj: Do të ishte çmenduri që Serbia të mendojë për ndërhyrje ushtarake në Kosovë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 22.03.2024, 17:32

Lëvizjet e ushtrisë serbe në afërsi me kufirin e Kosovës nuk shihen si risi pasi ato janë bërë edhe në të kaluarën. Kështu vlerëson njohësi i sigurisë Hysen Gecaj duke shtuar se nuk ka mundësi që në këto rrethana të ndërhyhet në Kosovë.

Publikimin e videos së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe njoftimin nga ana e tij se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, Gecaj e ka vlerësuar si veprim jo të menduar mirë.

Ai tha se këto janë vetëm tentativa të Serbisë për të përhapur panik e frikë në Kosovë dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sipas tij po e shfrytëzon këtë situatë për konsum të brendshëm.

“Kosova nuk është sot më e provokuar sesa ka qenë dje, pardje dhe ditët tjera në të kaluarën. Serbia vazhdimisht është duke provokuar me trupat e saj në kufi dhe për mua personalisht kjo nuk është ndonjë risi. Tjetër element që për mua është pak shqetësues ose i paqartë është se nëse kryeministri i Kosovës ka një informacion të tillë dhe unë po besoj që ka diçka prej tyre informatave, atë herë këtë është dashtë që ta diskutoj me institucionet e Kosovës dhe me KFOR-in i cili është përgjegjës për sigurinë e Kosovës poashtu edhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Plasimi i lajmit menjëherë për opinion, derisa nuk kemi asnjë informatë as nga NATO as nga KFOR as nga institucionet e tjera, që diçka e madhe po ndodh rreth kufirit të Kosovës unë thjesht ende i shoh këto vetëm si tentativa të Serbisë për të përhapur panik e frikë në Kosovë. Sigurisht këtë situatë ta shfrytëzoj për konsum të brendshëm të vetë presidentit Vuçiq për shkak të situatës në Serbi dhe për shkak të popullatës serbe në veriun e Kosovës”, tha Gecaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit