Ka nisur seanca gjyqësore për tre kontrollorët e arrestuar dy ditë më parë. Bëhet me dije se Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini do të mësojnë sot vendimin e Gjykatës. Mësohet se ndaj Flora Ndrecës është kërkuar masa “arrest shtëpie”, ndërsa për dy të tjerët është kërkuar “arrest në burg”. Ndaj kontrollorëve, prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim, edhe pse arrestimi i tyre është bërë në bazë të disa mesazheve në whatsapp, ashtu siç u shpreh dhe avokati i tyre. Kujtojmë se kontrollorët ndërprenë punën, tre ditë më parë, pasi shpallën gjendjen e paaftësisë së përkohshme për shkak të uljes së pagave.