Dje seanca për zgjedhjen e Osmanit dështoi, pasi nuk mori 80 votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidente.
Ndërsa sot Pacolli, para fillimit të seancës tha se deputetët duhet të jenë të përgjegjshëm për krijimin e institucioneve të Kosovës.
“Shpresoj që deputetët të jenë të përgjegjshëm të krijohen institucionet e Kosovës, të zgjidhet presidenti, të fillojë punën Qeveria e presidenca, sepse tani Kosova ka më së shumti nevojë”, ka thënë Pacolli.
Adem Hoxha, deputet nga Partia e Goranëve, sot konfirmoi se kishte vendosur të votonte për Osmanin, pas një takimi që kishte zhvilluar me Kurtin.
Gjatë ditës u njoftua se kishte pasur takime të shumta, madje edhe me disa familjarë të politikanëve, për të bërë të pamundurën që votat e tyre të shkojnë në favor të Osmanit.
Mësohet se seanca e sotme u vonua për shkak të këtyre negociatave të Pacollit me përfaqësuesit nga goranët dhe romët, të cilët pritet të vijnë më pas, duke votuar për Osmanin, në mënyrë që t’i mundësojnë asaj numrat e nevojshëm për t’u zgjedhur presidente.