Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka mbajtur një fjalim para se të votohet për seancën për presidentin.
Hoxhaj ka ironizuar me marrjen e vaksinës nga ana e Albin Kurtit, duke e pyetur se mos ka pasur efekte anësore në Kurtin, pas zhvillimeve të djeshme dhe të sotme në Kuvendin e Kosovës.
“Albin, nuk e di nëse vaksina që e ke marrë a ta ka rritë temperaturën apo ka efekte anësore, kur dje në mëngjes folsha për zgjedhje, në mbrëmje folsha për zgjedhje, sot folshe për zgjedhje, a vendi ka nevojë për lidership”, tha Hoxhaj në foltoren e Kuvendit.
Tutje, Hoxhaj ka thënë se Vjosa Osmani nuk po zgjedhet presidente, por po emërohet nga Albin Kurit.
“Sot këtë seancë ne e shohim si seancë të poshtërimit. Sepse sonte z.Kurti ka vendosur zonjën Osmani si presidente. Vjosa Osmani s’po zgjedhet si presidente, atë po e emëron z.Kurti dhe atë po e dërgon në presidencë që të këtë një kontroll absolut mbi institucionet e pavarura, gjyqësorin, mbi ushtrinë, mbi shërbimin inteligjent, mbi shërbimin e jashtëm”, tha tutje ai.
Ndërsa tha se prezenca e tij në Kuvend dhe e Bedri Hamzës është vetëm sa për t’i dhënë qëndrimet e PDK-së.