Pirro Vengu, drejtori i Autoritetit Portual Durrës, vazhdon të mos ndalet me tenderat e dyshimtë që organizon në emër të institucionit që drejton. Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-80831-12-02-2020 dhe me objekt “Shtimi i sipërfaqeve në Parkimin Tir”.
Ndonëse në letër projekti duket se do të lehtësojë menaxhimin e kamionëve gjatë procedurave të ndryshme në port, mënyra se si është realizuar tenderi është mjaft e dyshimtë. Shikohet se në procedurë kanë marrë pjesë 5 kompani apo bashkim kompanish, nga të cilat është shpallur fitues një bashkim kompanish i cili ka ofruar më shumë sesa një tjetër bashkim kompanish.
Kështu, fitues është shpallur bashkimi i kompanive “SENKA” & “EGLAND” me vlerë të ofruar prej 45.474.315 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 545 milionë lekë të vjetra me TVSH. Mirëpo vihet re se bashkimi tjetër i kompanive ka ofruar vlerën prej 39.849.196 lekësh të reja pa TVSH, pra me një diferencë prej rreth 56 milionë lekë të vjetra pa TVSH.
Megjithatë ky fakt duket se nuk është marrë fare në konsideratë nga Pirro Vengu dhe fitues janë shpallur “SENKA” & “EGLAND”. Gjithashtu shikohet se vlera fituese është fare pranë vlerës së fondit limit, më konkretisht është sa 93% e tij, një tjetër fakt ky që ngjall dyshime në vërtetësinë e tenderit.