Të gjithë e dimë se për të zënë një vend punë të rëndomtë në administratë duhet të paguash një dorë të mirë parash tek “sekseri”. Nga denoncimet e shumta të qytetarëvë, këto pagesa fillojnë nga 5000 euro e sipër. Imagjinoni pak, kur për një vend ordiner pune në shtet paguhet kaq, por për vendin e drejtorit të ARRSH-së, çfarë duhet të paguash? Miliardat që kalojnë nëpër duart e Ergys Verdhos janë vërtetë të frikshme dhe për më tepër duket se nuk mbarojnë kurrë.
Duket se “Gysi” është vendour pikërisht në atë vend nga drejtuesit e Rilindjes, pasi siç duket është tepër i aftë. Jo në punë, por në kanalizimin e miliardave nga thesari i shtetit në drejtim të xhepave të Rilindjes. Nëse shikon historikun e tenderave që Verdho ka dhënë, vëren se janë të gjitha në rangun e miliardave.
Dhe më i fundit është ky që po ju paraqesim në vijim. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-65268-07-13-2020, me objekt Loti V: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga "Rreshen (U.Fanit)- Shpal, Shpal- Q.Bene- K.Hadroj, Shpal-Ura e Repsit" dhe me fond limit 219,866,693 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.6 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Shihet se kanë marrë pjesë 4 kompani, nga të cilat është shpallur fituese ajo që ka dhënë shifrën më të lartë. Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve “AEK MUNELLA” & “DRINI -1” në pronësi përkatësisht të Zef Kaza dhe Pellumbesha Martini. Pra 3 firma të tjera që kanë ofruar më pak, janë skualifikuar.
Madje njëra prej firmave të skualifikuara ka ofruar rreth 740 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në rastin më të mirë, këto 740 milionë lekë janë dëm i pastër ekonomik të cilat me shumë mundësi do të përfundojnë në xhepat e Verdhos dhe “shokëve të tij” të Rilindjes.