Pak ditë më parë u regjistrua një aksident i frikshëm para ambasadës italiane ku një automjet me shpejtësi 150 km në orë përplasi një automjet tjetër që po lëvizte sipas rregullave të qarkullimit rrugor. Aksidenti u shkaktua nga drejtuesi i mjetit, Stiverjan Dashi, por sipas disa informacioneve i riu ka marrë vetëm një dënim administrativ për aksidentin. Ndërkohë, sipas disa fotove që publikuam pak ditë më parë, Dashi rezulton se është shkelës i rregullt i qarkullimit rrugor dhe shpesh herë ka "shpëtuar" vetëm me gjoba. Por, siç duket është diçka e “zakonshme”, pasi Stiverjan është nipi i një zyrtarit të policisë, madje këtë e ka konfirmuar edhe Klodiana Lala. Vlen të theksohet se policia ka heshtur në lidhje me ngjarjen dhe aq më tepër nuk ka raportuar për asnjë të lënduar. Por, disa çaste më parë gazetarja Anila Hoxha është shprehur se ka informacione se dy persona që ishin në makinën që përplasi BMW-ja janë paraqitur në spital dhe kanë marrë ndihmë mjekësore. Personat në fjalë, janë Arbri Muça dhe Dritan Telhai.