Epo, kur ha i madhi, do hanë ndonjë kockë dhe të vegjlit, apo jo? Nëse deri tani nëpërmjet tenderave prej miliardash kanë përfituar drejtuesit e institucioneve kryesore, edhe universitetit e hanë ndonjë llokmë, natyrisht më të vogël, por gjithsesi të majme. Më konkretisht bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Universiteti Politkenik i Tiranës, me vlerë rreth 53 milionë lekë të vjetra me TVSH. Rektor i këtij universiteti është Andrea Maliqari.
Mirëpo ndonëse mësimi aktualisht bëhet online, Universiteti në fjalë do të harxhojë shumën e mësipërme për të blerë aq shumë kancelari saqë edhe në një vit normal akademik do të ishin tepër të egzagjeruara. Sigurisht kuptohet qartë që nuk do të merren të gjithë artikujt me sasitë e përmendura, por janë vendosur në tender sa për të justifikuar vlerën marramendëse që do të jepet nga buxheti i shtetit.
Jo vetëm kaq, por fitues është shpallur dikush që ka ofruar gati 16 milionë lekë të vjetra me TVSH më shumë se njëri nga pjesëmarrësit e tjerë. Në rastin më të mirë do të kishim plot 16 milionë lekë dëm ndaj shtetit, pa përmendur faktin që mësimi bëhet online dhe kancelaritë e blera nuk do të nevojiten. Në vijim lista e materialeve që kërkohen të blihen, një çmenduri e vërtetë. Epo, i gëzofsh milionat e taksave tona i dashur rektor!