Një ngjarje e fundit ka shokuar shkencëtarët holandezë. Ata zbuluan se një burrë që nuk kishte qenë në gjendje të ecte ose të fliste për tetë vjet, u zgjua pasi kishte marrë një pilulë gjumi. 37-vjeçarit iu kthye vetëdija e plotë dhe njohu gjithë familjen e tij, madje kërkoi të fliste me babanë e tij kur mjekët i dhanë një ilaç të thjeshtë për gjumë. Ai gjithashtu ishte në gjendje të ngrihej nga karroca e tij dhe të ecte, me ndihmën e mjekëve. Richard u shtrua në spital në fund të të 20-ave për shkak të një mungese serioze të oksigjenit, pasi u mbyt në një copë mishi.
Incidenti e la atë me dëmtime të mëdha në tru dhe mutizëm akinetik (një gjendje e rrallë mendore ku njerëzit nuk mund të flasin, të hanë ose të lëvizin, por mund t'i mbajnë sytë hapur). Skanimet zbuluan se pas incidentit, një pjesë e trurit të Richard kishte dalë jashtë funksionit. Sidoqoftë, tabletat e gjumit ulën aktivitetin e padëshiruar të trurit, duke e lejuar Richard-in të rifitonte të folurin. Studiuesit tani po kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme e cila mund të ndihmojë pacientët si Richard me këtë lloj specifik të dëmtimit të trurit, të qëndrojnë plotësisht të vetëdijshëm.
Burimi:Ladbible|Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania