Policia ka arrestuar një 53-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për plagosje. Burimet policore bëjnë me dije se në pranga ka rënë shtetasi Nuhi Koleci, 53-vjeç, i cili në datën 18 prill të këtij viti ka plagosur me armë zjarri personin me iniciale D.V 54-vjeç. Sipas njoftimit të autoriteteve, personi i kapur është dënuar nga Gjykata e Kukësit në arrest me burg për veprat kriminale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Armëmbajtje pa leje.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Plagosi me armë zjarri një shtetas, kapet dhe vihet në pranga 53 vjeçari i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe ” Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Forcat e posaçme “Shqiponjat” në DVP Kukës, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij. Si rezultat i punës së mirëorganizuar dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, në rrugën e tregut Kukës, u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e shtetasit N.K., 53 vjeç, banues në Kukës, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, dhe ” Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Ky shtetas, më datë 18.04.2020, në aksin rrugor Krumë-Kukës, ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin D.V., 54 vjeç, banues në Kukës,” thuhet në njoftimin e policisë.