Kur ende nuk dihet se kur do fillojë kampionati shqiptar, Vllaznia e Shkodrës po kalon një situatë kaotike. Klubi shkodran ka konfirmuar 4 raste me koronavirus brenda ekipit. Bëhet fjalë për zv.trajnerin, Elvis Plori dhe për 3 lojtarët, Erdenis Gurishta, Eni Imami dhe Uheid Hoxha. Të katër personat e infektuar janë izoluar në shtëpitë e tyre dhe fatmirësisht janë në në gjendje të qëndrueshme.
Autoritetet shëndetësore, duke parë situatën jo të mirë dhe frikën e përhapjes në masë të virusit, u kanë bërë dje testet të gjithë lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit. E enjtja paradite ka qenë e ngjeshur sa u përket kontrolleve dhe kësisoj deri në fundjavë tashmë do të jetë një konkluzion i qartë për 25 futbollistë dhe 8 pjesëtarë të stafit. Shpresohet që gjithçka të shkojë mirë, në të kundërt skuadra rrezikon e gjitha të futet në karantinë nëse ka të tjerë të infektuar.