Përfaqësuesja e Kosovës ka zbarkuar pasditen e sotme në Shkup për ndeshjen e nesërme kundër Maqedonisë së Veriut, të vlefshme për "Play-Off" të Ligës së Kombeve. Mediat kosovare raportojnë se “Dardanët” tashmë janë akomoduar në “Park Hotel&SPA”, kompleks ky që ndodhet shumë afër stadiumit ku do zhvillohet dhe ndeshja.
Sot, në orën 17:30 do të ketë konferencë për shtyp nga Kosova e më pas me fillim nga ora 18:00 trajneri Challandes dhe futbollistët do të dalin në fushë për të zhvilluar stërvitjen e fundit. Kujtojmë që ndeshja zhvillohet të enjten nga ora 20:45 dhe ekipi fitues ka shanse të mëdha të kualifikohet në Europianin e vitit të ardhshëm.